Lionel Messi ‘çmend’ çmimet e biletave në MLS

Euforia e mirëseardhjes së Messit ka nisur të ndihet në Miami.

Në pritje të njoftimit zyrtar të kampionit të Botës, fansat tashmë po numërojnë ditët për debutimin e tij. 21 korriku konsiderohet si dita që Messi do të zbres në fushë me fanellën e skuadrës amerikane, që luan ndeshjen e Kupës së Ligës kundër Cruz Azul.

Një ngjarje unike që tashmë ka bërë që çmimet e biletave të rriten me ritëm të shpejtë.

Siç  raporton “TickPick”, bileta më e lirë kushton 459 dollarë, nga 29 dollarë që ishte para se Messi të njoftonte akordin verbal me ekipin e David Beckam. Mbi 14 mijë e 500 tifozë të Inter Miami janë në garë për të siguruar biletat në këto sektore, pasi shifrat në tribunat e tjera do të jenë tepër të kripura.

Por kjo nuk është e gjitha. Me debutimin e mundshëm të Messit me 21 korrik, efekt domino do të ketë edhe në çmimet e ndeshjeve të radhës.

Pak ditë më vonë skuadra nga Florida do sfidojë në stadiumin e vet New York, me koston e çmimeve që do të shkojnë nga 30 dollarë që ishte vlera fillestare në 512 dollarë. Rritje do ketë edhe ndaj kampionëve në fuqi, Los Angeles nga 81 në 599 dollarë. Me pak fjalë ethet për Messin tashmë kanë përfshirë futbollin amerikan.

Një lojtar në nivelin e 7-të herë fituesit të Topit të Artë nuk është parë prej kohësh në SHBA, që prej kalimit të Pelesnë Cosmos. Tashmë tifozët amerikanë nuk do të kursejnë asgjë për të shijuar ndeshjet e fenomenit argjentinas.