Lindjet shënojnë rënie në 12 qarqe të vendit, shtesa natyrore në “alarm”

Të dhënat demografike vijojnë të konfirmojnë tkurrje të popullsisë edhe për tremujorin e parë të vitit 2024. Numri i lindjeve përgjatë kësaj periudhe është regjistruar në rënie, por lajmi më negativ qëndron te rikthimi i shtesës natyrore negative. Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2024 është 5,056, duke shënuar një rënie me 6.8%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, ndërsa numri i vdekjeve është 5,537, duke shënuar një rënie prej 5.2%. Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2024 regjistron 481 vdekje më shumë se sa lindje.

Në tremujorin e parë 2024, katër qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative. Në tremujorin e parë 2024, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 475 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 217 vdekje më shumë se sa lindje.

Nëse flasim për lindjet, në tremujorin e parë 2024, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1,929 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje. Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Elbasanit me 2.0%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 21.1%.

Nga ana tjetër, përgjatë tre muajve të parë të vitit, vetëm një qark i vendit shënoi rritje të numrit të vdekjeve, në një qark nuk kishte ndryshim, ndërsa dhjetë qarqe të tjera shënuan ulje, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2023. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve është Tirana me 1,454 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Kukësi me 139 vdekje. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Gjirokastrës me 21.4%, ndërsa rënien më të vogël e ka qarku i Tiranës me 2.6%.