Numri i bebeve që lindin në vendin tonë po pëson rënie drastike nga viti në vit, duke reflektuar përkeqësimin e treguesve demografike dhe ushte sociale dhe ekonomike në vend.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2024 në vendin tonë kanë lindur vetëm 22,425 bebe ose 5 për qind më pak se vitin 2023. Rënia e lindjeve u thellua më tej në vitin e kaluar në raport me vitin 2023 kur lindjet ranë me 4.3%.
Më 2024, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,425 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore.
Të dhënat tregojnë se edhe në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri kanë lindur më shumë se sa sot. P.sh., në vitin 1942 lindën mbi 36 mijë foshnja në një kohë kur numri i grave në moshë riprodhimi ishte më i ulë se sot.
Në vitin 1950, kur u vendos regjimi i diktaturës komuniste, lindën 47,291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi (15-49 vjeç) ishte vetëm 259,472 mijë.
Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 22 mijë foshnja, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte gati dy herë më i lartë se në vitet 1950.
Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar se lindjet në Shqipëri kanë rënë përtej të gjitha parashikimeve.
Ekspertët pohojnë se, politika është shumë e vonuar për të zbatuar një grup masash, të cilat duhet të kenë në fokus frenimin e emigracionit dhe evidentimin e mjeteve që mund të ndihmojnë çiftet e reja të lindin fëmijë.
Ata sugjerojnë ndërhyrje që të përmirësojnë gjendjen ekonomike të familjeve të reja. Dermografët pohojnë se duhet një ekzaminim i detajuar i nevojave të familjeve të reja sipas rajoneve dhe më pas të hartohet një paketë politikash që t’i ndihmojnë ato në kostot për të rritur fëmijët.