Lindita Nikolla anulon seancën parlamentare, ja si i përgjigjet shqetësimit të deputetëve të opozitës

Anulimi i seancës plenare që ishte parashikuar të mbahej sot, ka sjellë një reagim të deputetëve të Rithemelimit. Përmes një shkrese drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, deputetët e Berishës e konsiderojnë një shkelje të rëndë të rregullores së Kuvendit anulimin e seancës plenare.

Ata e konsiderojnë anulimin e kësaj seance të datës 13 mars 2023, një akt të rëndë kundër parlamentarizmit dhe një akt anti-kushtetues. Në kërkesën zyrtare të dërguar si më poshtë, ata kërkojnë që zhvillimi i kësaj seance të kryhet normalisht. Në një përgjigje zyrtare kryeparlamentarja Nikolla e argumenton anulimin e seancës shkak të kërkesës së disa deputetëve të cilët janë të angazhuar në fushatë me zgjedhësit.

“Nisur nga kërkesa e disa deputetëve se për shkak të angazhimeve të tyre në veprimtari me zgjedhësit e kishin të pamundur pjesëmarrjen në seancën e ditës së hënë, kam ngarkuar shërbimin  e seancës të njoftojë deputetët për moszhvillimin e seancës”, thuhet në shkresën e saj.

Më tej ajo shton se Kuvendi ka pasur edhe raste të tjera kur kryetari i Kuvendit ka vendosur të mos zhvillohet seanca plenare në datën e planifikuar për shkak të kërkesave të ardhura nga deputetët.