Linda Rama në homazhet për babain e Hashim Thaçit: Doja të isha pranë nënës dhe gruas së komandanti

Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, mori pjesë në homazhet për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë fjalës së saj, Linda Rama theksoi dhimbjen e familjes Thaçi, e cila sot përballet me mungesën e dy figurave të rëndësishme: Haxhi Thaçit, i cili u përcoll për në banesën e fundit, dhe Hashim Thaçit, i cili ndodhet i burgosur në Hagë dhe nuk iu lejua të merrte pjesë në ceremoninë mortore.

“Në këtë ditë të trishtuar jam me ty, nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë si një nënë që e di mirë çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani. E kam përjetuar pranë nënës së Edit. Sot, familjes suaj i mungojnë dy burra,” u shpreh ajo.

Linda Rama foli edhe për vështirësitë që përjeton një grua në krah të një udhëheqësi, duke theksuar se e përjeton çdo ditë këtë sfidë.

“E di më mirë se ç’do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër e një udhëheqësi, aty ku fryjnë dhe nuk punojnë erërat e forta. Por sot, ajo që nuk mund ta di, është çfarë ndjen një nënë që ka fëmijën me pushkë në dorë, duke luftuar në male për liri,” tha ajo.

Ajo shtoi se ndjeu nevojën të ishte pranë familjes Thaçi në këtë moment të vështirë.

“Nuk më mbajti vendi në Tiranë, por doja të isha këtu, pranë nënës dhe gruas së Hashimit. Nënës dhe gruas së komandantit, ashtu siç i thërrasin në shtëpi,” përfundoi Linda Rama.