‘Ligjet’, Balla: Adresë unike për banesat në rang vendi! Gjoba për bashkitë që s’e zbatojnë!

TIRANË- Në komisionin e Ligjeve po diskutohet projektligji për çështjen e adresave, ku ishte edhe i pranishëm ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Balla tha se synohet që ti jepe fund problematikës lidhur me mungesën e unifikimit të sistemit të adresave në Shqipëri. Sipas ministrit, ndryshimet kanë të bëjnë me ngritjen e një regjistri unik, të adresave në rang vendi.

Këto ndryshime sipas Ballës do t’u shërbejnë edhe turistëve.

Pr/ligji që paraqesim sot ka të bëjë me disa ndryshime të rëndësishme që synojmë ti japim zgjidhje përfundimtare një problematike të tejzgjatur lidhur me mungesën e unifikimit të sistemit të adresave në Shqipëri. Ndryshimet kanë të bëjnë më ngritjen e një regjistri unik të adresave në rang vendi, do ketë detyrimin t’i referohen të gjitha institucionet në vend. Nëse deri më tani kemi pasur regjistra adresash nga institucione të ndryshme, regjistrin e vet kadastra, bashkia, pas miratimit të këtij ligji do kemi një regjistër unik adresash në republikën e Shqipërisë.

Çdo banesë, ndërtesë, biznes, çdo njësi do ketë unik identifikues i papërsëritur. Çdo banesë ka kodin e vet unik. Lehtësimin e mbërritjes në adresë, por edhe identifikimit të adresave edhe sa i përket turistëve për të shkuar në një adresë të caktuar.  Duke pajisur me kodin unik çdo banesë, biznes, apartament, destinacioni do jetë lehtësisht i identifikueshëm. Regjistri unik është në funksion, adresari.mb.gov.al. Do jetë gati në javët dhe në muajt në vijim.

Po punojmë me google dhe kompani të tjera për të aksesuar dhe ofruar kodin unik që mund të vendoset në google maps, menjëherë të drejtohesh për në banesën hotelin ku një qytetar apo i huaj ka destinacion për të mbërritur. Synojmë të rrisin rolin e Gjendjes Civile në kontrollin e sistemit të adresave. Sa i takon penaliteteve, është propozuar vendosja e një mase administrative për çdo bulevard, rrugë apo rrugicë, park të paemërtuar apo ndërtesë, hyrje, apartament të pa numërtuar.’- tha Balla.

Opozita ngriti shqetësimin se regjistrimi i adresave mund të ndikojë në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshme. Por Balla hodhi poshtë këto pretendime.

‘Kodi i vendbanimit nuk ka lidhje me kodin unik të adresës. Lista e zgjedhësve ka në themelin e vet qendrat e votimit. Kodi ka në një prej atyre shifrave, i referohet qendrës së votimit. Këtu s’ka lidhje fare. Ne i referohemi bashkisë, njësisë administrative, qytetit, kodit postar, emërtimin e rrugës, apartamentit. Kodi i vendbanimit ka mbetur aty që nga viti 2003. Ne nuk e prekim, por për të shtyrë garancitë e shqetësimeve.’- tha Balla.

Miratimi i ligjit u shty për t’i dhënë kohë opozitës, për në mbledhjen e radhës, ndërsa pritet të kalojë në Kuvend më 18 prill.