Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi një kuadër të veçantë ligjor për nënat kryefamiljare me rikthimin e PD-së në pushtet.
“Është koha të ndërmarrim një kthesë të fuqishme. Të rikthehemi drejt qytetarit, të rikthehemi drejt problemeve më madhore të kombit. Dhe sot nuk ka problem më madhor se shpopullimi i këtij vendi, se sa zbrazja e vendit, se sa faktikisht shpërbërja e kombit. Pra, përsëri këto janë një grup masash, por masa të tjera janë të domosdoshme që të synojnë lehtësimin e familjes, të synojnë një demografi tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Këto masa do instalohen me shpejtësi qoftë në sistemin fiskal. Në socializëm, në fakt në atë varfëri, por nënat me shumë fëmijë u jepnin një pension. Sepse duhen parë gjërat me objektivitet. Nuk kishte sistem më çnjerëzor se socializmi, por edhe më çnjerëzor është narkodiktatura e Edi Ramës. Ky është sistemi më çnjerëzor. Ndaj dhe një kuadër fiskal lehtësues, përjashtues për nënat me shumë fëmijë. Një kuadër që të ndihmojë suksesin e saj në garantimin e një jetese normale për familjen, është i domosdoshëm. Krahas kësaj, Shqipëria është vendi i nënave kryefamiljare me numrin më të lartë ndoshta në rajon dhe më gjerë, për shkak të emigrimit të baballarëve. Atëherë, një kuadër ligjor i veçantë, iu garantoj dhe po punohet për nënat kryefamiljare. Këtu para jush në një seancë tjetër, një nënë biznesmene përshkroi mundimet e saj si nënë kryefamiljare për të përballuar biznesin dhe familjen, djalin, nënën e vet. Pa asnjë lehtësim. Pa asgjë.Duhet detyrimisht një kuadër ligjor që të garantojë lehtësimin e barrës që ajo përballon, qoftë në aspektin financiar, qoftë në aspektin burokratik” tha Berisha.