Lideri suprem i Iranit Khamenei fshihet në bunker me familjen, Trump “urdhër” Izraelit: Mos e vrisni!
Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, u zhvendos me shpejtësi në një bunker nëntokësor në Lavizan, në verilindje të Teheranit, pak orë pasi Izraeli filloi sulmet e tij mëngjesin e së premtes.
Dy burime për Iran International thanë se të gjithë anëtarët e familjes së udhëheqësit shpirtëror, përfshirë djalin e tij Mojtaba, po qëndrojnë aty së bashku me të.
Sipas disa raporteve në mediat e huaja, presidenti amerikan Donald Trump i ka vënë veton një plani izraelit për vrasjen e ajatollahut. Reuters raportoi i pari lajmin, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, ndërsa më pas Associated Press publikoi të njëjtin raport.
“A kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan deri tani? Jo. Atëherë, përderisa kjo nuk ka ndodhur, ne nuk flasim për goditje të udhëheqjes politike”, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane për Reuters.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një intervistë për Fox News, u pyet për raportet dhe tha: “Ka kaq shumë raporte të rreme për biseda që nuk kanë ndodhur kurrë, dhe nuk dua t’i hyjë kësaj teme.”
Izraeli argumenton se sulmet ndaj udhëheqësve ushtarakë të Iranit, uzinave të pasurimit të uraniumit dhe shkencëtarëve bërthamorë janë të domosdoshme për të ndalur zhvillimin e armëve bërthamore.
Ndërkohë, Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor, edhe pse sipas vlerësimeve ndërkombëtare, nuk ka ndjekur zhvillimin e një arme bërthamore që nga viti 2003.
Vitet e fundit, Irani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele pranë atyre për prodhimin e armëve dhe besohet se ka kapacitetin për të ndërtuar disa armë bërthamore brenda pak muajsh, nëse vendos ta bëjë këtë.