Liderët e BE telefonojnë nga Tirana presidentin Donald Trump, Zelensky zbardh bisedën
Liderët e Bashkimit Evropian që po marrin pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, mes të cilëve presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, ai i Polonisë Donald Tusk dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kanë zhvilluar sot një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump.
Lajmin e bëri të ditur vetë Zelensky përmes një postimi në “X”, ku zbardhi detaje nga biseda e zhvilluar me Trump, e cila u përqendrua në raundin e parë të bisedimeve ruso-ukrainase që pritet të mbahen në Turqi.
“Folëm me Donald Trump së bashku me presidentin Macron, kancelarin Merz, kryeministrat Starmer dhe Tusk. Diskutuam takimin në Stamboll. Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë.
Qëndrimi ynë – nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe një fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa Rusia të jetë gati t’i japë fund luftës. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë,” shkruan Zelensky.