Një libër i ri nga gazetari dhe eksperti i Familjes Mbretërore, Tom Quinn, hedh dritë mbi tensionet mes Dukës dhe Dukeshës së Sussex-it dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes mbretërore. Sipas fragmentit të botuar nga “The Times”, sjellja e ngrohtë dhe e afërt e Meghan Markle, e cila i përqafonte të gjithë sa herë që i takonte, ka shkaktuar ndjesi të përziera te Princi William dhe Princesha Kate.
Libri “Yes Ma’am: The Secret Life of Royal Servants”, i publikuar më 18 shkurt, përfshin rrëfime nga anëtarët e stafit që kanë shërbyer për familjen mbretërore. Sipas tyre, përqafimet dhe puthjet në faqe të Meghan-it krijuan një atmosferë të tensionuar, duke nxitur thashetheme se ajo po flirtonte me kunatin e saj, Princin William.
“Ajo padyshim që nuk po flirtonte,” thotë autori, “por gjithë ky afrimitet dhe thashethemet që pasuan vetëm sa thelluan përçarjen mes vëllezërve.”
Në fillim, Kate dhe William e konsideronin Meghan si një njeri të mrekullueshëm. Megjithatë, me kalimin e kohës, qasja e saj miqësore dhe e ngrohtë duke i përqafuar të gjithë u bë burim tensioni. Për shembull, thuhet se ajo përqafonte William pothuajse sa herë që takoheshin, çka bëri që Kate, William dhe Charles të ndiheshin të sikletosur, pasi nuk ishin mësuar me një sjellje të tillë në protokollet e pallatit.
Në dokumentarin e Netflix “Harry & Meghan”, Dukesha ka rrëfyer se nuk ishte në dijeni që formaliteti i Familjes Mbretërore vazhdonte edhe pas dyerve të mbyllura. “Unë gjithmonë kam qenë një person që përqafon, dhe kjo ishte tronditëse për shumë britanikë,” tha ajo.
Princi Harry, në librin e tij “Spare”, ka kujtuar takimin e parë të Meghan-it me William dhe Kate në fund të vitit 2016. Ai e përshkruan atë moment si një “përplasje klasike kulturash”. William, sipas Harry-t, u tërhoq nga përqafimi i Meghan-it, duke e bërë këtë takim të duket i sikletshëm.
Ky takim ndodhi në apartamentin e William dhe Kate në Pallatin Kensington, pak para se dy vëllezërit të shkonin në një udhëtim gjuetie. Deri në atë kohë, Meghan kishte takuar tashmë disa anëtarë të tjerë të familjes mbretërore, përfshirë Princeshën Eugenie, Princin Andrew dhe Mbretëreshën.