Librazhd/ I dehur kërcënoi me thikë bashkëfshatarin që e ndaloi të drejtonte makinën, arrestohet 53-vjeçari
Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar në fshatin Floq të Librazhdit, falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë. Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi, në gjendje të dehur, ka kanosur me thikë bashkëfshatarin e tij, i cili tentoi ta ndalonte të drejtonte automjetin në atë gjendje.
Policia bëri të ditur se i arrestuari, shtetasi M. A., u kap duke drejtuar automjetin i dehur, ndërsa gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan dy mjete prerëse (thika), një prej të cilave e kishte përdorur për të kanosur 46-vjeçarin Y. B. Ky i fundit kishte ndërhyrë për të mos e lejuar të ngiste makinën, duke u përballur me kërcënimin e të dyshuarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.