Lezhë/ Besimtarët katolikë përgatiten për të dielën e Pashkës
Besimtarët katolikë në Lezhë janë mbledhur këtë të shtunë në Katedralen “Shën Nikolli” për të kryer një nga traditat më të dashura dhe më të rrënjosura të Pashkë, bekimin e ushqimeve. Në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore dhe përgatitjesh festive, qindra familje kanë sjellë në kishë shportat me ushqimet simbolike, që do të konsumohen të dielën e Pashkës.
Besimtarët shprehen se kanë sjellë për të bekuar “të mirat që Zoti ua ka dhënë”, si një mënyrë falënderimi dhe mirënjohjeje, duke shtuar se lutjet dhe urimet e kësaj dite janë për të gjithë, për paqen, shëndetin dhe shpresën në çdo familje.
Në këtë ditë, katedralja e Shen Nikollit në Lezhë u mbush jo vetëm me aromën e ushqimeve tradicionale, por mbi të gjitha me frymën e bashkimit dhe dashurisë. Bekimi i ushqimeve është një gjest i thjeshtë, por me domethënie të thellë, që simbolizon mirësinë, bujarinë dhe gëzimin e ringjalljes së Krishtit.
E shtuna para Pashkës përfaqëson pikërisht këtë: përgatitjen e zemrës për festën e shenjtë, forcimin e besimit dhe ndarjen e të mirave me të tjerët. Ajo është një ditë e heshtur reflektimi, që i paraprin mëngjesit të shpresës dhe jetës së re – të dielës së Ringjalljes.