Leonard Duka përplaset në gjyq me prokurorin Dibra: Ke 6 vjet më ke mbajtur kot në kërkim!
I akuzuari për organizimin e vrasjes së Santiago Malkos, Leonard Duka ka shkëmbyer fjalë të ashpra me prokurorin, Behar Dibra. Sipas tij, ky i fundit e ka mbajtur në kërkim pa arsyeje dhe se jep përgjigje vetëm për respekt të gjykatës.
PJESE NGA DEBATI:
Prokurori: Po Skoda Roster ku e mbanit?
Duka: Unë po të jap pergjigje për respekt të gjykatës, se ti nuk e meriton.
Behar Dibra: Për respekt të së vërtetës. Jo për mua.
Duka: Ke 6 vjet më ke mbajtur kot në kërkim.
Më 2 gusht 2024 Leonard Duka, i vetëquajtur “Princi Damian” u esktradua nga Belgjika, pas shpalljes në kërkim si kreu i grupit kriminal që ka urdhëruar vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko dhe jo vetëm.
Ai ra në pranga në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.
Duka akuzohet për 5 vepra penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.