Leku mbyll vitin me “triumf”, kursi i Euros në rënie vjetore me më shumë se 9%
Leku e ka mbyllur vitin 2023 në mbiçmim të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten (dita e fundit që publikohet kursi zyrtar për këtë vit) në nivelin e 103.88 lekëve. Krahasuar me ditën e fundit të vitit 2022, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 9.1%.
Tendencë në rënie ka shënuar edhe kursi me shumicën e valutave të tjera kryesore.
Kursi i Dollarit Amerikan me Lekun e mbylli vitin në nivelin e 93.94 lekëve, në rënie me 12.2% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Kursi i Paundit Britanuik me Lekun e ka mbyllur vitin në vlerën e 119.47 lekëve, në rënie me 7.3% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Mbiçmimi i Lekut këtë vit është sidomos rezultat i përmirësimit të ndjeshëm të Bilancit të pagesave, por edhe i një politike fiskale shumë shtrënguese të ndjekur nga Qeveria shqiptare.
Në tremujorin e tretë 2023 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 354 milionë eurove, përkundrejt një deficiti prej 145 milionë eurosh që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo bëri që për 9-mujorin bilanci i llogarisë korrente të jetë pozitiv në vlerën e 28 milionë eurove. Të paktën që nga hapja e ekonomisë shqiptare, kjo është hera e parë që Shqipëria ka një bilanc të llogarisë korrente progresiv pozitiv. Ndikimin kryesor në përmirësimin e Bilancit të Pagesave e dha rritja rekord e të ardhurave nga turizmi.
Suficiti fiskal këtë vit ka prekur nivelet më të larta historike, duke kulmuar me shumën e 51
miliardë lekëve në muajin shtator. Kjo ka shtrënguar ndjeshëm ofertën e Lekut në tregun valutor, me përjashtim të muajit dhjetor, kur përqendrimi i lartë i shpenzimeve ka sjellë një zhvlerësim të lehtë./Monitor