Në mbledhjen e datës 9 janar 2025, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të rëndësishëm për industrinë e kanabisit mjekësor në Shqipëri. Ky vendim përcakton standardet e sigurisë dhe rregullat për kultivimin, përpunimin dhe transportimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Subjektet që aplikojnë për licencë duhet të përmbushin një sërë kriteresh të rrepta sigurie, ndër të cilat:
•Monitorim i pandërprerë: Instalimi i kamerave CCTV me rezolucion të lartë dhe ruajtje të të dhënave filmike deri në një vit në serverë “Cloud” brenda BE-së.
•Rrethim i fortifikuar: Sipërfaqet e hapura dhe të mbrojtura duhet të jenë të rrethuara me mur betoni 4 metra të lartë, të pajisura me tela gjembash.
•Siguri 24-orëshe: Ambientet duhet të ruhen nga subjekte të licencuara të sigurisë private.
•Pajisje teknologjike të avancuara: Sisteme për detektimin dhe kontrollin e hyrjeve të paautorizuara.
Përveç kushteve të sigurisë, vendimi rregullon edhe lëvizjen e automjeteve për transportimin e lëndëve të para dhe produkteve finale, duke garantuar transparencë dhe mbikëqyrje të rreptë.
Ky hap, i propozuar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, synon të rregullojë një sektor të ri dhe potencialisht fitimprurës në vend, duke ruajtur standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe kontrollit.