“Larguam njeriun më të fuqishëm në botë” – Protestuesit në Venecia festojnë zhvendosjen e dasmës së Jeff Bezos
Miliarderi amerikan Jeff Bezos ka vendosur të ndryshojë vendin e festës finale të dasmës së tij në Venecia, pas protestave dhe presionit të fortë nga grupet lokale dhe aktivistët. Dasma tre-ditore e themeluesit të Amazon me prezantuesen televizive Lauren Sánchez, e cila pritet të jetë një nga ngjarjet më të përfolura të vitit, ishte planifikuar të kulmonte me një mbrëmje luksoze në “Scuola Grande della Misericordia”, në qendrën historike të qytetit.
Por, sipas konfirmimeve nga autoritetet lokale për BBC, aktiviteti final do të zhvendoset në Arsenale, një zonë më e largët nga qendra e Venecias. Ky vendim u përshëndet me entuziazëm nga protestuesit, të cilët prej ditësh kishin kundërshtuar zhvillimin e një aktiviteti të tillë luksoz në zemër të qytetit, duke e konsideruar një cënim të trashëgimisë kulturore dhe shenjë të arrogancës së të pasurve.
“Jemi shumë krenarë për këtë! Ne jemi askush, nuk kemi para, nuk kemi asgjë. Thjesht qytetarë që u organizuam dhe arritëm të largonim njërin prej njerëzve më të fuqishëm në botë dhe gjithë miliarderët nga qyteti ynë,” deklaroi për BBC Tommaso Cacciari, përfaqësues i grupit protestues “No Space for Bezos”.
Dasma e Bezos dhe Sánchez ka mbledhur një listë të gjatë të të ftuarve të njohur, përfshirë yje si Kim Kardashian, Mick Jagger dhe Leonardo DiCaprio. Sipas mediave, qindra të ftuar pritet të mbërrijnë në Venecia me avionë privatë dhe jahtet e tyre luksoze, ndërkohë që janë rezervuar pesë hotele të tëra për ta. Për sigurinë, thuhet se janë angazhuar ish-ushtarë amerikanë dhe masa të forta mbrojtjeje.