Largimi në Arabinë Saudite, Roberto Martinez merr vendimin për Cristiano Ronaldon

Firma në Arabinë Saudite ka larguar Cristiano Ronaldon nga futbolli Europian, por jo nga kombëtarja.

Sulmuesi 38-vjeçar është përfshirë në listën e kombëtares portugeze për duelin e parë kualifikues të Euro 2024 kundër Lihtenshtajnit dhe Luksenburgut. Në sfidën që do të jetë edhe ajo debutuese për Roberto Martinez në pankinë, ky i fundit e cilëson Ronaldon si mjaft të nevojshëm për kampin luzitan.

“Një lojtar si Cristiano mund të sjellë përvojë dhe është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin. Nuk shoh moshën e tij kur bëhet fjalë për cilësitë. Cristiano ka një mundësi për të ndihmuar këtë ekip dhe për të përcjellë përvojën e karrierës së tij në këtë skuadër” tha Martinez në daljen për shtyp.

Cristiano Ronaldo tenton që të thellojë akoma dhe më shumë rekordin me fanellën luzitane. Tek Portugalia, ai është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 118 gola të shënuar, duke qënë edhe lojtari më rezultativ në historinë e lojës magjike. Në listën e Portugalisë për këto duele është edhe 40-vjeçari, mbrojtësi Pepe.