Lapaj e Shehaj përplasen në SPAK, drejtuesi i “Shqipëria Bëhet”: Nuk kthehem pas! Luftën e kam me sistemin dhe pushtetin
Kandidati për deputet në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesi i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka depozituar në SPAK një kallëzim për shpifje ndaj deputetit dhe drejtuesit të “Mundësia”, Agron Shehaj.
Lapaj ka reaguar në një status në rrjetet sociale, duke zbuluar dhe dokumentin, teksa pranoi se me Shehaj kishte projektuar dhe një bashkim forcash.
STATUSI I PLOTË:
Prej fillimit të muajit shkurt deputeti Agron Shehaj ka nisur një seri shpifjesh dhe fyerjesh ndaj meje.
Kam ruajtur qetesinë sepse nuk kam dashur të replikoj modelin e së shkuarës.
Kam pritur që Z. Shehaj të reflektonte sepse në krye të herës kam menduar se duke mos qenë njohës i fushës e kishin futur në qorr sokak, por nga java në javë dëshmoi se ishte plotësisht në keqbesim.
I shtriva dorën e bashkëpunimit Z. Shehaj për 8 muaj, por mora pas baltë dhe shpifje. Sulmi i tij ndaj meje ishte aq i madh sa nuk e kemi parë ta bëjë as ndaj atyre që e kanë vjedhur Shqipërinë 34 vite.
Unë nuk kthehem pas. Luftën e kam me sistemin dhe pushtetin, por kushdo më sulmon duke shpifur apo çdo mënyrë tjetër do marrë përgjigjen rast pas rasti.