Landfilli i Sharrës mbyll dyert për ndërtuesit, Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve: Institucionet po ngatërrojnë me dashje dheun me mbetjen!

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Erion Harizaj, ka denoncuar problemet që po has sektori i ndërtimit për shkak të mbylljes së Landfillit të Sharrës për depozitimin e dheut të nxjerrë nga gërmimet, duke theksuar se kjo situatë po i penalizon padrejtësisht ndërtuesit.

Harizaj akuzoi institucionet se po ngatërrojnë qëllimisht dheun me mbetjet inerte, duke i detyruar ndërtuesit ta trajtojnë dheun si mbetje, gjë që është në kundërshtim me ligjin. Ai theksoi se dheu është një nënprodukt që mund të përdoret për rikuperimin e tokave të degraduara dhe jo një mbetje që duhet të dërgohet në landfill.

“Prej vitit 2018, në kundërshtim me ligjin, në landfill është rritur presioni që ndërtuesit të çojnë dheun atje duke e trajtuar si mbetje. Por dheu nuk është mbetje, është një nënprodukt. Mund të përdoret për rikuperimin e tokave të degraduara ose në shtratin e lumenjve që kanë pësuar erozion,” tha Harizaj.

Sipas tij, Bashkia duhet të krijojë një pikë të re grumbullimi për dheun e nxjerrë nga ndërtimet ose të lejojë ndërtuesit të gjejnë një zgjidhje tjetër pa u ndëshkuar nga institucionet. Ai shtoi se konfuzioni mes dheut dhe mbetjeve po penalizon ndërtuesit dhe po shkakton vonesa në projektet e zhvillimit.

Harizaj gjithashtu ka paralajmëruar për vonesa në miratimin e lejeve të ndërtimit për shkak të burokracive në disa institucione, përfshirë Ministrinë e Energjitikës dhe Autoritetin e Aviacionit Civil, duke e përshkruar këtë situatë si një pengesë të madhe për zhvillimin urban të Tiranës.

“Nuk ka më leje ndërtimi pa miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit të Aviacionit Civil për çdo ndërtesë mbi 5 kate. Kjo po kthehet në një burokraci të lodhshme që pengon zhvillimin e qytetit,” përfundoi Harizaj.

Ai nënvizoi se projektet kryesore të ndërtimit në Tiranë po zgjerohen drejt zonave si Paskuqani dhe Vora, duke rritur kërkesën për ndërtim dhe për rrjedhojë, koston për metër katror. Pronarët e tokave kanë rritur çmimet ndjeshëm, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për ndërtuesit.