“Lamtumirë Indi”/ Del videoja e fundit e çiftit britanik para se të humbnin jetën nga rrëzimi i avionit në Indi
Një video prekëse, e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, tregon momentet e fundit të Jamie Ray Meek, një pasagjer britanik i cili humbi jetën në rrëzimin tragjik të avionit Air India AI171 në Ahmedabad.
Videoja u publikua në Instagram vetëm pak çaste para se çifti të hipte në bordin e fluturimit fatkeq. Në pamjet e publikuara, Jamie shihet duke buzëqeshur dhe i qetë në aeroportin e Ahmedabad-it, ndërsa i thotë lamtumirë Indisë pas përfundimit të udhëtimit të tij.
“Jemi në aeroport, gati për t’u nisur. Lamtumirë Indi, në një fluturim 10-orësh për në Londër,” dëgjohet të thotë Jamie në video, me një ton të gëzuar dhe reflektues.
Ndërsa filmon veten dhe partnerin e tij – i cili shfaqet shkurtimisht në video – Jamie shton me humor:
“Mësimi më i madh që mora është të mos e humbasësh durimin me partnerin tënd,” thotë ai me një buzëqeshje të butë, duke përfunduar:
“Po kthehem i lumtur, i lumtur, i lumtur dhe i qetë.”