Lamtumira e fundit për Diogo Jotën! Mijëra qytetarë, lot dhe heshtje në Gondomar të Portugalisë
Lot, këngë, lule dhe një heshtje e thellë mbuluan qytetin Gondomar të Portugalisë, ku mijëra njerëz u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht vetëm 11 ditë pas martesës së tij.
28-vjeçari, baba i tre fëmijëve, ndërroi jetë në një aksident rrugor teksa po udhëtonte drejt Liverpool-it me makinë, pasi ishte këshilluar të mos fluturonte për shkak të një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale. Rruga e tij, fatkeqësisht, nuk përfundoi kurrë.
Jota ishte një nga lojtarët më të dashur të kombëtares portugeze dhe Liverpool-it, me të cilin kishte fituar Premier Leaguen, ndërsa me Portugalinë kishte ngritur trofeun e Nations League. Klubi i tij e përshkroi humbjen si “një tragjedi që tejkalon futbollin”.
Në stadiumin Anfield, mijëra tifozë vendosën lule, shalla dhe mesazhe pranë murit përkujtimor, duke kënduar këngë të dedikuara për Jotën. Ish-kapiteni Jordan Henderson, i përlotur, vendosi një kurorë me mesazhin prekës:
“Prehu në paqe, miku im, bashkë me vëllain tënd André. Do na mungosh të gjithëve.”
Sulmuesi egjiptian Mohamed Salah tha se i dukej e pamundur të rikthehej në fushë pas kësaj humbjeje të rëndë:
“Jam pa fjalë. Deri dje, nuk mendoja se do kishte ndonjë gjë që do më trembte të kthehesha në Liverpool.”
Hommage për Jotën u dhanë edhe jashtë fushës së futbollit. Në koncertin e ribashkimit të grupit britanik Oasis në Cardiff, imazhi i tij u shfaq në fund të këngës “Live Forever”, duke ngjallur duartrokitje të gjata nga stadiumi i tejmbushur.
Edhe rivali i përjetshëm i Liverpool-it, Everton, bëri një akt nderimi: një delegacion i klubit, përfshirë lojtarët me origjinë portugeze Beto dhe Youssef Chermiti, vendosi lule pranë stadiumit të Anfield.
“Ishte një nga ata lojtarë që e fiton menjëherë zemrën e tifozëve, jo vetëm për golat, por për mënyrën si sillej brenda dhe jashtë fushës,” tha ish-këshilltari i qytetit të Liverpool-it, Peter Millea, për BBC.
Homazhe për Jotën u mbajtën edhe në stadiumin Molineux të Wolves, ish-klubi i tij, si dhe në Wimbledon, ku tenisti portugez Francisco Cabral veshi një shirit të zi në nder të tij. Gjatë ndeshjes së Euro 2025 për femra mes Danimarkës dhe Suedisë u mbajt një minutë heshtje në kujtim të tij.
Varrimi i Diogo Jotës do të zhvillohet sot në orën 10:00, në Igreja Matriz de Gondomar, në qytetin e tij të lindjes.