Mbështetësit e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kanë protestuar jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) pas vendimit për ta lënë atë në arrest me burg.
Pas përfundimit të seancës maratonë, mbështetësit kanë bllokuar fugonin e policisë që po transportonte Veliajn drejt paraburgimit në Durrës. Ata kanë vendosur pankarta mbi fugon dhe brohorisnin “Lali, Lali”, duke i dhënë mbështetje kryebashkiakut.
Gjatë seancës, avokatët e Veliajt kërkuan masë sigurie më të lehtë, duke ofruar liri me kusht në këmbim të një garancie pasurore, por kjo kërkesë u refuzua. Ndërkohë, për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, gjykata caktoi masën “detyrim paraqitje”.
Veliaj, gjatë seancës, mohoi akuzat ndaj tij, duke deklaruar se nuk i është shpjeguar arsyeja e arrestimit. “I kam hyrë në hak familjes time që ka punuar edhe në fundjavë”, u shpreh ai në gjykatë.