“La Repubblica” ngre alarmin: Shqipëria po gërryhet nga deti, një ishull historik është zhdukur!
Një raport alarmant i publikuar nga gazeta italiane La Repubblica hedh dritë mbi një nga problemet më të mëdha mjedisore që po përjeton Shqipëria: gërryerja e bregdetit nga erozioni dhe rritja e nivelit të detit. Sipas raportit, mbi 150 kilometra të vijës bregdetare të Adriatikut, nga gjithsej 270, janë goditur rëndë nga ky fenomen.
Rasti më tronditës është zhdukja e Ishullit Franz Jozef, një ishull i formuar nga depozita aluviale në grykëderdhjen e lumit Buna, i cili që nga viti 2012 nuk ekziston më, pasi është “përpirë” nga deti. Ishulli mbante emrin e perandorit austriak Franz Jozef I dhe dikur shtrihej në 19.5 hektarë pyje dhe bimësi të egër, duke qenë një strehë natyrore për shpendët detarë.
Sipas raportit, kombinimi i ndryshimeve klimatike dhe urbanizimit të pakontrolluar për shkak të hiperturizmit po e çon bregdetin shqiptar drejt një katastrofe të ngadaltë. Në Velipojë, deti po avancon me më shumë se 5 metra në vit, duke përmbytur pyllin me pisha dhe zhdukur dhjetëra trupa pemësh. Ndërkohë në Golem, gjatë 16 viteve të fundit janë humbur 70 metra vijë bregdetare, si pasojë e mbindërtimit dhe mungesës së masave mbrojtëse.
“Ndërtimet e digave dhe hidrocentraleve në rajon kanë përshpejtuar zhdukjen e ishullit, ndërsa betonizimi i bregdetit ka ulur ndjeshëm kapacitetin natyror për t’i bërë ballë erozionit,” thekson Ervis Krymi, profesor i gjeografisë.
Shqetësimet janë ngritur edhe nga Agjencia e Emergjencave Civile, që parashikon se deri në vitin 2030, mbi 1000 km² të sipërfaqeve bregdetare do të preken nga përmbytjet. Ekspertët paralajmërojnë se përveç ndikimit në mjedis, kjo situatë rrezikon edhe turizmin, që është një nga shtyllat e ekonomisë shqiptare.
“Deti mezi pret që autoritetet të zgjohen,” – është apeli i Edvin Dules, një menaxher hoteli në Golem, i cili kërkon masa të menjëhershme për të ndalur këtë katastrofë që po shkatërron peizazhin dhe ekonominë e vendit.