La jashtë zgjedhjeve lokale të dy grupimet e PD-së, Celibashi tregon ”formulën” për regjistrimin

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur sërish në lidhje me vendimin për të mos pranuar kërkesën e PD-së për regjistrim në zgjedhjet e 14 Majit.

Sipas Celibashit, përfaqësuesit e grupimit Alibeaj kishin edhe sot kohë për ta adresuar çështjen në gjykatë. Sipas tij një parti politike mund të vlerësojë që të udhëhiqet nga nënkryetari.

Por për Celibashin kjo duhet bërë menjë proces në gjykatë për t’i dhënë nënkryetarit legjitimitetin e plotë që të veprojë si kryetar.

Ilirjan Celibashi: Ia thashë përfaqësuesit të Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, që nëse kanë interes për ta adresuar këtë çështje, mund të merrnin gjithë kohën dhe nuk rrezikonin asgjë.

Tani e njeh, s’e njeh gjykata nuk mbaj përgjegjësi unë. Nuk ka asnjë detyrim, për asnjë parti politike që detyrimisht të zgjedhë kryetarin. Një parti politike mund të vlerësojë që të udhëhiqet nga nënkryetari. Por në këtë rast nënkryetari ka legjitimitetin e plotë që të veprojë si kryetar, por duke e bërë këtë proces në gjykatë.

Sepse është atribut i gjykatës për ta lexuar statutin, jo i yni.