Kuvendi nis sot sesionin e fundit, fokusi te vota e diasporës dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Sot, në orën 17:00, deputetët shqiptarë rikthehen në Kuvend për të nisur sesionin e fundit të legjislaturës së dhjetë, i cili do të zgjasë deri në mars. Pas kësaj, puna e Parlamentit do të ndalet për t’i hapur rrugë përgatitjeve për zgjedhjet e 11 majit, ku do të zgjidhet parlamenti i ri.

Një nga sfidat më të mëdha për këtë sesion është miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat lidhen me votën e diasporës – një proces historik që do të realizohet për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme. PD dhe PS pritet të bashkojnë votat për të miratuar disa ndryshime që janë njëkohësisht teknike dhe politike.

Propozimet kryesore për votën e diasporës

Sipas propozimeve të KQZ dhe mbështetjes nga PS, ndryshimet përfshijnë:

•Afrimin e afateve të regjistrimit për të mundësuar prodhimin dhe shpërndarjen më të shpejtë të fletëve të votimit te emigrantët që do të votojnë me postë.

•Specifikimin në ligj që emigrantët nuk do të kenë asnjë kosto për dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit, pasi këto shpenzime do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Nga ana tjetër, opozita kërkon që Kodi të përcaktojë qartë se votat do të numërohen nga komisionerët politikë, jo nga administrata e KQZ. Po ashtu, PD ka kërkuar që emigrantët të kenë mundësinë të votojnë edhe me dokumente të huaja – një kërkesë që pritet të ndezë debat.

Çështje të tjera në axhendë

Në ditët e para të sesionit, deputetët do të votojnë për dërgimin ose jo në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, pas një dakordësie të arritur në Këshillin e Mandateve.

Ndërkohë, do të diskutohen edhe një sërë nismash ligjore, përfshirë:

•Paketën e maleve, e propozuar nga qeveria.

•Dy projektligje të depozituara nga demokratja Jorida Tabaku, që lidhen me “Marrëveshjet e kredisë konsumatore” dhe “Mbrojtjen e konsumatorëve”.

Ky sesion i fundit pritet të karakterizohet nga debate të ashpra mes palëve politike, ndërsa afatet kohore për miratimin e nismave bëhen gjithnjë e më të ngushta.