Shpenzimet e deputetëve tejkalojnë parashikimet. Raporti Financiar i Kuvendit të Shqipërisë për 8 muajt e parë të këtij viti ka provuar se deputetët kanë shpenzuar 400 mijë euro për udhëtimet e tyre jashtë vendit.
Raporti zbulon se këto 400 mijë euro deri në gusht rezultojnë të kenë shkuar për biletat e udhëtimit, ndjekur nga pagesa për akomodim në hotel dhe shpërblimet, përkthyesit. E meqë shpenzimet e ligjvënësve kanë tejkaluar parashikimet fillestare duke harxhuar në tetë muaj 70 për qind të buxhetit total për vitin 2024, do të duhet buxhet shtesë.
“Janë planifikuar 57 milionë lekë për të gjithë vitin 2024, ndërsa në 8-mujor rezultojnë të shpenzuara 40 milionë, ose 70% e planit vjetor në këtë zë. Me këtë ecuri do të duhen dhe 5-6 milionë shtesë nga buxheti për këtë zë. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shteti, për udhëtimin gjithsej të 339 personave, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ. Për këto udhëtime janë shpenzuar 7 milionë lekë dieta, 17 milionë lekë bileta dhe 16 milionë lekë hotel e të tjera (si taksi, përkthim, marrje me qira auto veturë, fee pjesëmarrje).
Me këtë ecuri, do të duhen dhe 5-6 milionë shtesë buxheti për këtë zë. Për periudhën 8-mujore janë lëshuar 105 urdhra për udhëtime jashtë shteti, për udhëtimin gjithsej të 339 personave, nga të cilët 212 deputetë, 25 staf politik dhe 122 staf administrativ, thuhet në raportin e përgatitur nga administrata e Kuvendit. Ndërsa për konferencat nga 9.8 milionë lekë që ishin planifikuar në këtë zë janë shpenzuar në 8-mujor afro 7 milionë lekë, pra 71% e buxhetit. Shpenzimet për 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend janë zgjeruar ndjeshëm edhe në drejtim të pagave. Pas dakordësisë së arritur mes qeverisë dhe opozitës fundmajin e vitit të shkuar, shpenzimet për rrogat dhe sigurimet shoqërore të tyre janë mbi dyfishuar.
Nga 227.4 milionë lekë në janargushtin e një vitit më parë, për po për njëjtën periudhë kohore këtë vit janë shpenzuar 736.4 milionë lekë për pagat e deputetëve. Madje, po të mos ishte për Sali Berishën pa të drejtë page për shumë muaj dhe disa deputetëve të tjerë me funksione në qeveri, kjo shumë do të ishte edhe më e lartë. “Argumentet mbi realizimin faktik më të ulët se plani të fondit të pagave, lidhen me mosplotësimin e numrit të punonjësve (përfshirë deputetët).
Nga 140 deputetë për të cilët planifikohet fond page, 9 deputetë nuk paguhen në Kuvend, për shkak të funksioneve në qeveri; stafi politik në proces plotësimi dhe stafi administrativ gjithashtu, në proces rekrutimi”, – thuhet në raport. Gjatë kësaj periudhe Kuvendi ka angazhuar një numër ekspertësh më të madh, duke rritur ndjeshëm shpenzimet nga ato që ishin parashikuar. “Me kërkesë të komisionit përkatës dhe me vendim të Byrosë së Kuvendit, për nevoja ekspertize, janë kontraktuar për ndihmë dhe ekspertizë ekspertë të fushës. Gjatë vitit 2024 janë planifikuar 3.5 milionë lekë për këto pagesa, pasi nuk ka pasur një kërkesë konkrete, të llogaritshme, ndërsa janë shpenzuar 13 milionë lekë në 8-mujor. Pra, 3.7 herë më shumë se planifikimi. Për vitin 2024 janë ngritur dy komisione hetimore dhe një grup pune nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Komisionet hetimore kanë miratuar për të mbështetur veprimtarinë e tyre nga 4 ekspertë secili, ndërsa grupi i punës pranë Komisionit të Ligjeve ka miratuar 6 ekspertë, për të cilët nuk ka pasur fonde të planifikuara”, – citohet raporti i Kuvendit.