Dështimi për zgjedhjen e kryetarit, Kushtetuesja vendos për fatin e parlamentit në Kosovë

Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve të ardhshme. Ky është vendimii Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, që i është përgjigjur kërkesës së deputetes Time Kadrija dhe dhjetë deputetëve të tjerë të Kuvendit.

Në këtë aktgjykim, Gjykata ka vendosur njëzëri si vijon:

– Kërkesa është shpallur e pranueshme;

– Seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës;

– Deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit;

– Kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar;

Çfarë konstatoi Gjykata?

Gjykata vlerësoi se Kuvendi nuk është konstituuar sipas Kushtetutës, pasi procesi i filluar më 15 prill nuk ka përfunduar me zgjedhjen e organeve drejtuese. Kjo, sipas saj, e bën të pavlefshme çdo veprim tjetër që pretendon të ketë marrë legjitimitet nga një seancë që nuk ka përmbushur elementet themelore të konstituimit.

Gjykata theksoi se Seanca Konstituive është një akt kushtetues, i cili mund të quhet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Për më tepër, ajo rikujtoi se Kushtetuta parasheh që ky proces duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve.

Në këtë aktgjykim, Gjykata e Kushtetuese gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit në mirëbesim ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare për të siguruar funksionalitet institucional. E drejta për të propozuar Kryetarin, që i takon grupit më të madh parlamentar, vjen me detyrimin për të kërkuar konsensus dhe kompromis, dhe nuk mund të përdoret si instrument për bllokim institucional.

Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se për shkak të mungesës së konstituimit të plotë, Kuvendi nuk ka pasur kapacitet juridik për të marrë vendime siç është ai për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë.

Ajo vlerësoi gjithashtu se të gjitha “seancat” e zhvilluara deri më tani, përfshirë dhënien e betimit dhe përpjekjet për verifikim të kuorumit, nuk përbëjnë një konstituim të plotë.

Në përfundim, Gjykata konstaton se është detyrë kushtetuese e të gjithë deputetëve të zgjedhur që të mundësojnë konstituimin e Kuvendit në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ky aktgjykim hyn në fuqi menjëherë