Kushtet e përkeqësuara hidrometeorologjike në Vlorë, ndalohet dalja në det e mjeteve të vogla dhe peshkimit

Autoritetet detare kanë lëshuar një njoftim të rëndësishëm lidhur me përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike në dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 13-15 mars 2025.

Sipas parashikimeve, duke filluar nga ora 12:00 e datës 13 mars, era do të fryjë me drejtim jug-juglindje, me forcë deri në 6-7 ballë, shpejtësi deri në 15-20 m/s, ndërsa dallgët do të arrijnë 1.50 deri në 2.50 metra lartësi.

Masat e marra nga autoritetet

Me qëllim parandalimin e situatave të rrezikshme, autoritetet kanë vendosur:

-Ndalohet dhënia e lejeve të lundrimit për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit që operojnë në det të hapur, duke filluar nga ora 12:00 e datës 13 mars.

-Të gjithë drejtuesit e mjeteve detare duhet të marrin masa për sigurimin e mjeteve të tyre në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazhit.

-Anijet e transportit ndërkombëtar do të operojnë normalisht sipas destinacioneve të tyre.

-Përmirësimi i kushteve atmosferike dhe lejimi i lundrimit për mjetet e vogla dhe të peshkimit pritet pas orës 08:00 të datës 16 mars 2025.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve detarë që të respektojnë masat për sigurinë e lundrimit dhe të shmangin çdo rrezik të mundshëm.