Kushëri i parë me ish-ministrin, Genc Burazeri në Komisionin Hetimor: Kam kërkuar interpretim siç kam kërkuar edhe për procedura të tjera
Në Komisionin Hetimor për shëndetësinë ka qenë ish anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, Genc Burazeri, i cili është edhe kushëriri i parë i ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili tashmë ndodhet në burg.
Burazeri, i cili është në hetim për koncesionin e sterilizimit u pyet nëse ka qenë në konflikt interesi me ish ministrin Beqaj, për shkak të afrimitetit familjar, por ai tha se pas konsultimeve u bind që nuk ishte në konflikt interesi. Ish anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit tha se deri në 2013 Ilir Beqajn nuk e njihte askush në shëndetësi, ndërsa atë e njihnin të gjithë.
Ministrat i paçim sa malet -tha Burazeri- por ata janë kalimtare.
Burazeri: Kam kërkuar interpretim siç kam kërkuar edhe për procedura të tjera. Unë kam pasur ftesa paraprake. Jam konsultuar me kabinetin, i cili më ka bërë të qartë që nuk ka konflikt interesi dhe më ka bindur pasi bazuar në ligjin përkatës, nuk e gjej veten as në konflikt faktit, as të mundshëm dhe as në dukje të interesit.
Byrazeri u shpreh se prej vitit 2011-2019 ka qenë edhe si specialist i Institutit të Shëndetit Publik si i jashtëm, që në kohën kur ministër ishte Petrit Vasili, pasi punonte dhe pedagog te Fakulteti i Mjekësisë.
“Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja më emëroi si një nga anëtarët e Komisionit të Koncesionit. S’kam qenë pjesë organike apo hierarki administrative. Jam dorëhequr më 5 Maj 2015, dorëheqje për arsye personale, pak pasi mbaroi studimi i Fizibilitetit për koncesionin, pasi kjo ishte detyra ime dhe për këtë përgjigjem. Jam gati të flas e përgjigjem për çfarë përmban pozicioni im për studim fizibiliteti dhe kur mbaroi jam larguar”, tha Byrazeri.
Më tej tha se ishte zëvendësuar me një urdhër të ish-ministrit Beqja me një anëtar tjetër. Byrazeri këmbënguli se i është përmbajtur vetëm detyrës së tij të përcaktuar edhe nga urdhri i ministrit dhe jo për çështjet e tjera.
Byrazeri mbrojti studimin e tij të fizibilitetit, duke konstatuar problematikën e ndotjes dhe infeksioneve në qendrat spitalore ku ishte caktuar që të kryente kërkime shkencore.
“Një pjesë janë marrë parasysh nga konstatimet e bëra dhe një pjesë jo. Ky është vetëm një studim fizibiliteti dhe vendimet i marrin të tjerët. Një pjesë u morën parasysh dhe shumë mirë u bë, por detyra ime kjo ishte. Ndaj edhe kam firmosur, sepse profesioni im është mjek epedimiolog, të kontrolloj gjendjen, gjithmonë për pjesën time. Unë kam firmosur për pjesën time”, tha Byrazeri.