“Kush vendos shumë gjoba, largohet nga detyra!” – Drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda urdhra të reja për Rrugoren

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dhënë mesazhe të forta gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe strukturave vartëse në qarqe. Proda theksoi se, pavarësisht përmirësimit të sigurisë rrugore gjatë vitit 2024, situata ende nuk është në nivelin e duhur dhe kërkoi angazhim maksimal nga efektivët e Rrugores për të parandaluar aksidentet dhe përmirësuar parametrat e qarkullimit rrugor.

Drejtori Proda deklaroi se ndëshkimi i drejtuesve të automjeteve duhet të fokusohet te ata që janë realisht të rrezikshëm për sigurinë rrugore, jo thjesht te masat administrative të panevojshme.

“Çdokush që mas punën e tij me numrin e gjobave, do të largohet nga detyra. Dua cilësi në punë. Ndëshkoni ata që janë rrezik për sigurinë e qytetarëve, si ata që qarkullojnë me shpejtësi të lartë, parakalojnë gabim, përdorin celularin gjatë drejtimit, ose janë nën efektin e alkoolit. Fokusohuni te ata që parkojnë mbi trotuare, duke penguar këmbësorët dhe nënat me fëmijë, si dhe ata që bllokojnë lëvizjen e automjeteve,” u shpreh ai.

Drejtori i Policisë kërkoi që efektivët e Rrugores të jenë më pranë komunitetit dhe të shërbejnë si model në komunikim, profesionalizëm dhe ndjeshmëri humane. Ai theksoi rëndësinë e monitorimit të akseve më problematike, sidomos në zonat pranë shkollave, për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.

Proda shtoi se efektivët duhet të përfshijnë nxënësit në fushata ndërgjegjësimi dhe të jenë më aktivë në media për të edukuar qytetarët për përdorimin e sigurt të rrugës. Ai veçoi se shkeljet e kryera nga këmbësorët, çiklistët, përdoruesit e monopatinave dhe motomjeteve gjatë natës pa shenja dalluese janë një problem që duhet adresuar me urgjencë.

Drejtori Proda u shpreh qartë se kushdo që nuk i përmbush detyrat dhe prioritetet e vendosura, do të largohet pa hezitim nga strukturat e Policisë Rrugore. “Shërbimi i Policisë Rrugore duhet të jetë në terren, jo në zyrë,” tha ai, duke kërkuar monitorim të rreptë të qarkullimit dhe ndjekje të shpejtë të rasteve të aksidenteve.

Analiza vjetore u pasua nga raportimet e Drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, dhe Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Rrugore, Altin Qato. Ata analizuan dinamikën dhe problematikat e vitit 2024, duke u zotuar për zbatimin e masave të kërkuara nga Drejtori i Përgjithshëm për rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.