Kush tentoi t’i legalizonte vilat e drurit në Theth? Zbardhet dëshmia e pensionistes: Unë e di ligjin…shita delet
Teksa sipas informacioneve që ka mbledhur policia e Shkodrës, dyshohet se pas kabinave pa leje në Theth, fshihet Prek Kodra një i shumë kërkuar nga SPAK, rezulton se një pensioniste ka tentuar që t’i legalizojë.
Lene Prroni raportohet të jetë pronarja në tentativë e kabinave të vendosura në zemrën turistike të Thethit, të cilat këtë të hënë kanë përplasur keq kryeministrin Edi Rama me Prokurorinë e Shkodrës, duke detyruar këtë të fundit të dalë me një sqarim, si rrallëherë.
Gazetarja Anila Hoxha ka zbardhur dhe dëshminë e saj në organin e akuzës, se ishte interesuar për lejë në Bashkinë e drejtuar nga Benet Beci, por i kishin thënë se duhet të kishte dokumentet e pronënisë, për të marrë leje ndërtimi.
Po ashtu, Lene Prroni ka deklaruar në dëshminë e saj se në dijeninë që ka për ligjin, kur ndërtimi është pa themel dhe pa betone, nuk ka nevojë për leje ndërtimi. Këtë arsye ka referuar dhe zyrtarisht Prokuroria e Shkodrës.
“Kapanonet e gjetura janë te vendosura ne pronën time, është nje prone qe e kam të trashëguar nga paraardhësit e mi. Deklaroj se jam interesuar prane bashkisë per të marre leje ndertimi për vendosjen e tyre, por më thanë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronesie qe të perfitosh. Dhe unë nuk kam dokumente pronësie, por e kam te trasheguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu deklaroj se ne dijenine time, per objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevoje per të marre leje. Paratë për ndertimin e ketyre kapanoneve i kam marre borxh, tek te afermit e mi, per te ndërtuar keta kapanone. Kam patur rreth 300 krere bageti ne Dukagjin, por duke qenë se nuk kisha coban per t’u kujdesur per to, i shita te gjitha”, ka deklaruar Lene Prroni.
Elsa Gjeli është prokurorja e Shkodrës që është sulmuar publikisht këtë të hënë nga kryeministri Edi Rama, pasi sipas pretendimeve të këtij të fundit, ka arkivuar një denoncim të Policisë së Shtetit për ndërtimin e “fshatit turistik” në Theth.
Bëhet fjalë për disa shtëpiza druri dhe një pistë ovale betoni në mes tyre, përballë oborrit të kishës katolike të Thethit, ikonë dhe ndër atraksionet turistike më të vizituar në fshatin mes Alpeve.
Sipas Edi Ramës, një kriminel që as ka pasur kurajon të shfaqej në Theth mesditën e sotme kur sapo mbërritën fadromat e IKMT-së për shembjen e betonit dhe shtëpizave të drurit, është “bekuar” nga prokurorja Elsa Gjeli, e cila “refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit.”