Kush janë emrat që fshihen pas kompanisë “ALBTrace Co” që do të kontrollojnë kanabisin në Shqipëri
Qeveria shqiptare ka vendosur që kompania “ALBTrace Co” të jetë përgjegjëse për gjurmimin dhe shenjimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale në vend.
Kjo kompani do të prodhon dhe shpërndajë pullat fiskale, që do të përdoren për produktet që i nënshtrohen akcizës. Në krye të saj është Joana Suli, ish-drejtore e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik, e emëruar pas arrestimit të Ilir Beqajt.
Në bordin drejtues të kompanisë ndodhen edhe persona të tjerë të lidhur me qeverinë, si:
Alma Feskaj, ish-komisionere e Vetingut, e shkarkuar më parë nga KLD për shkelje dhe paaftësi. Ky fakt nuk është përmendur në aplikimin e saj për Vetingun.
Olsi Çoku, ish-kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i njohur si njeri i afërt me Kryeministrin Rama.
Struktura e pronësisë së ALBTrace Co është e përbashkët:
51% zotërohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë (institucion shtetëror)
49% nga kompania O&S Security and Solutions LLP, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe
Më poshtë gjeni vendimin e plotë
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT TË AUTORIZUAR PËR REALIZIMIN E SHENJIMIT DHE GJURMUESHMËRISË.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: Autoriteti i autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë, sipas ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, është shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a.
Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”’.