Kush është Skerdi Sina? ‘’I forti’’ që u kap në Tiranë, nga kërcënimi i vajzës në Astir të problemet me ligjin

Policia e Tiranës ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja që ndodhi pasditen e së mërkurës në zonën e “Myslym Shyrit” dhe “Vasil Shantos”, ku një automjet luksoz tip Audi Q8 nuk iu bind urdhrit të ndalimit nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, duke shkaktuar ndjekje, përplasje dhe bllokim trafiku në rrugët e kryeqytetit. Burime zyrtare bënë me dije se rreth orës 16:30, efektivët kishin dyshime se dy persona në automjet mund të ishin të armatosur. Drejtuesi i Audi Q8 nuk ndaloi, por vijoi me shpejtësi duke përplasur tre automjete të parkuara, përpara se të braktiste mjetin në rrugën “Moskat”, së bashku me pasagjerin.

Gjatë arratisjes, autorët dyshohet se hodhën në rrugë një armë zjarri tip pistoletë, e cila u sekuestrua dhe pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve balistike. Shërbimet e Policisë arritën të kapin pasagjerin, i identifikuar si Skerdi Sina, 29 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën municione dhe një krehër pistolete.

Kush është Skerdi Sina?

Sina nuk është emër i panjohur për autoritetet… në janar ai ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishte mbajtur peng një 21-vjeçare në një banesë të marrë me qira në Astir, bashkë me katër persona të tjerë. Ngjarja ndodhi më 9 janar në kryeqytet, kur një vajzë telefonoi në sallën operative të Policisë së Tiranës, se ishte dhunuar nga disa persona alarmoi policinë. Kjo e fundit  blindoi për mbi 1 orë zonën e “Astirit” në Tiranë, pasi dyshonte se mos ishim para një rasti rrëmbimi. madje efektivëve të RENEA-s iu desh të zbristnin me litar nga katet e sipërme, për të hyrë në apartament dhe shpëtuar vajzën e re. Brenda ambienteve u gjetën edhe armë e drogë. Nga hetimet dolën të implikuar disa të rinj, ku një prej tyre është i arrestuari i ditës së Sotme Skerdi Sina, teksa hetimet po vijojnë ende.

Disa kohë më vonë për këtë ngjarje, është arrestuar njëri prej autorëve që mbajtën të mbyllur 21 vjeçaren në një apartament në zonën e Astirit. Në pranga ka ra Ermal Binjaku, 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal. Ermal Binjaku nuk ishte emër i panjohur për policinë. Ai rezulton të jetë dënuar për sigurim kushtesh në vrasjen e Denis Kasajt në janar 2016 në Fier ndërsa mbetën të plagosur dy miqtë e tij, Elton Margariti dhe Klement Kastrati të cilët udhëtonin me të në mjet. Ndërsa në korrik 2023 u arrestua teksa po lëvizte me makinë me Jurgen Zotaj në kërkim për vjedhje me dhunë.

Policia vijon punën për arrestimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim, Arnold Jaho dhe Ogert e Anduen Alia.Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave  të tjerë që mund të jenë përfshirë.