Kush është “i forti” i Shkodrës Safet Bajri?

Safet Bajri, i arrestuar këtë të premte me urdhër të SPAK, është një emër që lidhet me krimin e organizuar dhe që ka një të shkuar mes shumë akuzash për vepra penale.

Bajri konsiderohej si një nga njerëzit më të rrezikshëm të Belgjikës.
Ai dënua më 25 janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg.

Mbi Bajrin rëndonte edhe një dënim tjetër i 22 shkurtit 2014. Gjykata Penale e Brukselit e dënoi me 9 vite burgim si kreu i një organizate kriminale për trafik droge dhe 5 vite të tjera për posedim e trafik droge dhe heqje të paligjshme të lirisë e kërcënime me vdekje.

Safet Bajri u arrestua në Shkodër në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Oazi”. Ky operacion që çoi në arrestimin e 11 të fortëve, anëtarë të bandës kriminale “Bajri” në Shkodër. Grupi kriminal “Bajri” u akuzua për prostitucion, trukime ndeshjesh, vrasje, gjobvënie, trafik droge dhe pastrim parash.

Por, Safet Bajri nuk u ekstradua dot në Belgjikë sepse dy shtetet nuk kishin marrëveshje.

Në dhjetor të vitit 2020, Gjykata e Shkodrës dha dënimet për 5 nga anëtarët e grupit “Bajri”. Gjatë procesit, u rrëzua akuza për grup të strukturuar kriminal, çka lehtësoi pozitat e të arrestuarve.

EMRAT DHE DËNIMET:

1. Safet Bajri dënohet përfundimisht me 2 vite e 6 muaj burgim.
2. Ilir Bajri, u shpall fajtor për armëmbajtje, përfundimisht me 1 vit e 8 muaj burg.
3. Astmer Bilali dënohet me 3 vite burg.
4. Ismet Idrizi, edhe ky fajtor për armëmbajtje pa leje, dënohet me 2 vite e 6 muaj burgim.
5. Emrah Plaku, fajtor për armëmbajtje pa leje, dënohet me 2 vite burg.