Kush është Ermir Dedja! 29 vjeçari që mbeti i vrarë mbrëmë më Durrës

Një atentat i rëndë me armë zjarri ka tronditur qytetin e Durrësit në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 20 maj. Viktima është 29-vjeçari Ermir Dedja, një person me precedentë të shumtë penalë dhe i njohur për strukturat e rendit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:50 në lagjen nr. 18 të qytetit bregdetar. Dedja u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Ai u transportua menjëherë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak më vonë.

Dedja sapo kishte zbritur nga automjeti i tij kur autorët, ende të paidentifikuar, i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi. Të gjitha të dhënat e para sugjerojnë se autorët kishin ndjekur dhe monitoruar lëvizjet e viktimës, duke planifikuar me kujdes momentin e ekzekutimit.

Ishin banorët e zonës ata që i dolën në ndihmë dhe e transportuan me urgjencë drejt spitalit, por fatkeqësisht 29-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Po ashtu mësohet se plumbat e kallashnikovit kanë prekur edhe qendrën shëndetësore, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.

Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të ndodhur në zonë për të hedhur dritë mbi identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.

Policia gjithashtu ka gjetur në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, një automjet të djegur që dyshohet se u përdor nga autorët e krimit.

Brenda mjetit u gjet edhe një armë zjarri, që mendohet të jetë përdorur gjatë atentatit.

I riu, me origjinë nga Shijaku dyshohet se ditën  e djeshme ka pasur konflikte me disa persona, të cilët i zunë pritë në lagjen ku ai banonte.

Emri i të riut nuk është një emër i panjohur për policinë pasi në 2015 është arrestuar, sepse i shiti drogë një grupi personash të cilët do e kalonin nga Morina drejt Kosovës.

Në 2017 Ermir Dedja ra përsëri në prangat e policisë si bashkëpunëtor i Ismail Nuredinit në një plagosje në Shijak.

Prej kohësh, i riu jetonte në Gjermani, ku dyshohet se vazhdonte të ishte i përfshirë në aktivitete kriminale, kryesisht në trafikun e drogës. Kjo e shton mundësinë që atentati të ketë qenë një krim i importuar nga jashtë, i lidhur me prishje pazari apo larje hesapesh brenda grupeve kriminale.