Luftëtarët nga forcat anti-qeveritare pushtuan Damaskun, duke i dhënë fund sundimit të Bashar al-Asad. Në krye të ofensivës ishte Abu Mohammed al-Jolani (ai që vjen nga Lartësitë Golan), i cili kryeson Hayat Tahrir al-Sham (Hts), një grup që është bërë forca më e fuqishme e armatosur e opozitës në Siri.
Themeluesi i HTS, al-Jolani ka kërkuar të distancohet nga forcat e tjera të armatosura në lidhje me operacionet ndërkufitare, duke u fokusuar në krijimin e një “Republike Islame” në Siri. Që nga viti 2016, ai dhe grupi i tij e kanë vlerësuar veten si “kujdestarë të besueshëm të një Sirie të çliruar nga al-Assad”.
I lindur në vitin 1982 në Riad të Arabisë Saudite, ku babai i tij punonte si inxhinier nafte, ai u kthye në Siri në vitin 1989, duke u vendosur pranë Damaskut. Dihet pak për kohën e tij në Damask përpara se të transferohej në Irak në vitin 2003, ku ai iu bashkua Al Kaedës në Irak.
Në një intervistë televizive të dhënë në vitin 2014, ai deklaroi se Siria duhet të qeveriset sipas ligjit islam dhe se pakicat e vendit, të krishterët dhe alavitët, nuk do të mirëpriten. Qëllimi i deklaruar i Hts është të çlirojë Sirinë nga sundimi autokratik i Asadit duke “përzënë milicitë iraniane” nga vendi dhe duke krijuar një shtet sipas interpretimit të tij të “ligjit islamik”.