Kush është agjencia famëkeqe ruse që fshihet pas sulmeve kibernetike, helmimeve dhe sabotimeve në Europë

Tre njësi sekrete të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) janë identifikuar dhe sanksionuar nga qeveria britanike për një sërë sulmesh kibernetike, veprime sabotimi dhe akte të rënda spiunazhi që kanë goditur vendet perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën dhe shtete të tjera aleate të NATO-s.

Fancy Bear dhe njësia 26165: Nga Skripal te zgjedhjet në SHBA

Në krye të listës ndodhet njësia 26165, e njohur edhe me pseudonimin “Fancy Bear”. Kjo njësi është përfshirë në operacione të sofistikuara të hakerimit, përfshirë ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, përmes programit keqdashës “X-Agent”. I njëjti program u përdor vite më parë për të gjurmuar vajzën e ish-agjentit rus Sergei Skripal, Yulia, si pjesë e një operacioni që përfundoi me helmimin e tyre me agjentin nervor Novichok në Salisbury.

Sipas akuzave britanike, operativët Ivan Yermakov dhe Aleksey Lukashev ishin përgjegjës për mbikëqyrjen dhe përgatitjen e sulmit ndaj familjes Skripal, duke nisur hetimet kibernetike që në vitin 2013.

Njësia 26165 gjithashtu akuzohet për:

  • Hakerimin e Lojërave Olimpike
  • Sulme ndaj infrastrukturës europiane
  • Fushata kibernetike kundër Bundestagut gjerman (2015)
  • Sulme ndaj hetimeve për helmimin e Salisburyt
  • Zbulim online për të ndihmuar sulmet me raketa në Ukrainë, përfshirë teatrin e Mariupolit në vitin 2022 ku humbën jetën qindra civilë.

Njësia 29155: Sabotim dhe helmime

Njësia e dytë e sanksionuar, 29155, është e njohur për veprimtari më të drejtpërdrejta dhe fizike. Ajo akuzohet për:

  • Shpërthime në depot e municioneve në Çeki (2014)
  • Tentativë vrasjeje ndaj një tregtari bullgar armësh (2015)
  • Përdorim të malware “WhisperGate” për të goditur sistemet kritike ukrainase
  • Përfshirje në sindromën “Havana”, që ka prekur diplomatë amerikanë
    Një nga operativët e saj, Artem Valeryvich Ochichenko, është akuzuar për përfshirje në operacione kundër infrastrukturës ukrainase dhe organizatave politike në Francë.

Njësia 74455: Luftë kibernetike me pasoja të mëdha

Njësia e tretë, 74455, njihet për aftësi të jashtëzakonshme në operacione kibernetike shkatërruese. Mes veprimeve të saj janë:

  • Çaktivizimi i rrjetit elektrik të Ukrainës (2015–2017)
  • Sulme ndaj ofruesve të telekomunikacionit dhe shërbimeve kyçe
  • Përpjekje për të ndërhyrë në hetimet për helmimet me novichok
    Kjo njësi përbën rrezik serioz për infrastrukturën kritike të shteteve demokratike.

Fushata e dezinformimit në Afrikë dhe “fermat e trollëve”

Përveç sulmeve kibernetike, Britania ka sanksionuar edhe Iniciativën Afrikane, një strukturë e mbështetur nga Rusia që merret me fushata dezinformimi në kontinentin afrikan, minimin e besimit ndaj shëndetit publik dhe drejtimin e të ashtuquajturave “ferma trollësh” në rrjetet sociale.

Kryeredaktori i saj, Artyom Sergeevich Kureyev, është lidhur me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) të Rusisë.

GRU dhe fushata e kaosit në Evropë

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, të gjitha këto njësi përbëjnë një makineri të koordinuar nga GRU, e angazhuar në:

  • Sulme kibernetike masive
  • Helmime
  • Sabotime
  • Dezinformim dhe ndërhyrje në jetën demokratike të vendeve europiane

Madje, është konfirmuar se GRU qëndron pas një sulmi me pajisje ndezëse ndaj DHL në Birmingham, një ngjarje për të cilën u dënuan pesë persona, të cilët vepronin për llogari të Rusisë.

“Spiunët e GRU po zhvillojnë një fushatë për të destabilizuar Evropën, për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve britanikë. Kremlini nuk duhet të ketë asnjë dyshim: Ne e shohim atë që po përpiqen të bëjnë në hije dhe nuk do ta tolerojmë,” – u shpreh Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy.