Kush e vrau avokat Ravik Gurrën? Dëshmia e “Krymit” ndez dosjet e vjetra! SPAK: Po verifikojmë…

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, ka dhënë një dëshmi disa orëshe në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), që mund të çojë në zbardhjen e krimeve të tjera të bujshme në Elbasan, përfshirë vrasjen e avokatit Ravik Gurra në mars 2019.

Në sallën e gjyqit, Alibej tregoi se kishte dyshime se pas vrasjes së avokatit mund të qëndronte grupi i Suel Çelës, një person i shumëkërkuar nga SPAK. Ai rrëfeu një bisedë të zhvilluar me Suel Çelën, kur po përpiqej të zbardhte kush fshihej pas masakrës së Bradasheshit, ku u vranë vëllai i tij, Endrit Alibej, dhe xhaxhai Arben Dylgjeri.

Alibej, edhe pse nuk u pyet, tha në sallën e gjyqit se pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra në mars të 2019, kishte dyshime se qëndronte grupi i Suel Çelës, një i shumëkërkuar nga SPAK si kreu i një organizate kriminale. Për këtë ai zbardhi një bisedë me Suel Çelën në një kohë kur vetë Alibeaj interesohej për të mësuar kush ia vrau vëllain Endritin dhe xhaxhain Arben Dylgjeri, në masakrën e Bradasheshit.

lg.php.gif

“I thash Suelit që një nga gjuajtësit është ushtari jot, një shkodran që thirrej “Naqo”. Sueli i shkroi direkt atij. Pastaj në bisedë i thash ‘po më avokat Ravikun ça patët’(?) Më tha ‘i futi hundët shumë tek “Maçi” (Klodian Çopja)’, kam fol shumë aty me Suelin dhe më garantoi se janë Çopjat pas asaj që më ndodhi”, thoshte Alibej. 

Dëshmia e Alibejt ka bërë që SPAK të rihapë hetimet për vrasjen e Ravik Gurrës, e cila prej 6 vitesh ka mbetur pa autor. Burime thanë se po shqyrtohen edhe të dhëna nga komunikimet e grupit në aplikacionin SKY ECC, që mund të zbulojnë autorët dhe porositësit e vërtetë.

Alibej ngriti edhe akuza të forta ndaj policisë së Elbasanit në kohën e ngjarjeve. Ai tregoi se, edhe pse ishte në kërkim për plagosjen e një personi, nuk u arrestua nga policia, por përkundrazi iu kërkua të bashkëpunonte dhe iu dha liria që të merrte pjesë në ceremoninë mortore të familjarëve.

Ai përmendi emra konkretë të drejtuesve të lartë të policisë së kohës, si Altin Qato, Niko Brahimaj, dhe një shef komisariati, që sipas tij ishte i lidhur me grupin e Suel Çelës.

Alibej shtoi se kishte burime brenda policisë që i jepnin informacione për persona të ndryshëm, por nuk pranoi të tregonte emra.

SPAK po punon për të verifikuar këto dëshmi, për të gjetur prova të reja dhe për të parë nëse ka pasur shpërdorim detyre nga ana e zyrtarëve të policisë. Informacionet e reja nga komunikimet e SKY ECC pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në identifikimin e autorëve.