Kush e ka radhën pas Vlorës, Fierit dhe Durrësit? Rama “përvesh mëngët” për një tjetër qark
Kryeministri Edi Rama ka vijuar aksionin e nisur disa ditë më parë në Vlorë, duke e zhvendosur këtë herë në Fier, vetëm pak kilometra nga qyteti bregdetar. Gjatë një mbledhjeje me tone të forta, siç raporton Replike.al, Rama ka shprehur pakënaqësi të thellë për performancën e drejtuesve lokalë dhe u ka kërkuar dorëheqjen të gjithë drejtuesve të institucioneve në varësi të Bashkisë Fier. Mes tyre përfshihen të dy nënkryetarët, drejtuesit e drejtorive rajonale dhe të departamenteve bashkiake.
“Jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz,” – deklaroi Rama. Ai theksoi nevojën për “sy të freskët” dhe “hov të ri” në administratë, sidomos në qytete të mëdha në transformim të vazhdueshëm si Fierit, i cili ka dhënë besim për 12 mandate rresht.
Kryeministri është ndalur veçanërisht tek problematika si zaptimi i hapësirave publike dhe pastërtia e qytetit, duke i kritikuar drejtuesit vendorë për mungesën e reagimit ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Ai ka kërkuar që besimi i dhënë me votë të kthehet përmes punës dhe respektit ndaj qytetarëve.
Në takimin me dyer të mbyllura ishin të pranishëm edhe drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, Kryetari i Bashkisë Armando Subashi, Ministri i Pushtetit Vendor Arbjan Mazniku dhe deputetja Antoneta Dhima.
Pas Fierit, Rama ka vijuar me ndalesën në Durrës, ku sipas burimeve të Replike.al, ka kërkuar po ashtu dorëheqjen e drejtuesve lokalë. Ky aksion pritet të zgjerohet edhe në qarqet e veriut të vendit, ku Kryeministri do të kërkojë të njëjtën gjë: dorëheqje dhe pastrim të strukturave drejtuese që nuk kanë reflektuar apo performuar në përputhje me pritshmëritë.