Kush do ta rimëkëmbë këtë dëm të madh? Ku është rinia që mungoi sot?


Nga: Aida Topalli

Mijëra qytetarë, nga mbarë Shqipëria, marshuan sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një pjesë tjetër, simpatizantë të një partie, dikur në pushtet, ajo Demokratike, qëndruan dhe marshuan, siç e do zakoni, nga selia blu drejt Kryeministrisë. Në një tubim të thërritur nga “Rithemelimi”, në kujtim të shembjes së bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991. Por jo vetëm kaq, ata ishin thërritur sot, për të rrëzuar atë që e konsiderojnë si diktatorin e ri, kryeministrin e vendit, Edi Rama. Një popull pa opozitë, me të vërtetë është një popull në diktaturë, në kohët e pluralizmit politik që jetojmë sot. Albana Vokshi tha në fjalën e saj, se duhet të ishin mbledhur më herët, që përpara dy vitesh. Sipas saj janë përpjekur të manipulohen, të blihen, janë kërcënuat e shantazhuar, por nuk janë dorëzuar. Por në fakt, opozita, për fat të keq, e ka humbur misionin e saj jo dy vite më parë, por shumë vite më parë. Me gjithë përpjekjet e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, e vetmja gjë që ka arritur, dhe kjo është fakt, është ndarja copa-copa e saj. Sot mungonte Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike. As kjo datë e shënuar në historinë e pluralizmit shqiptar, nuk mundi t’i bënte bashkë këto “copa të thyera”. Duke zbehur kështu shpresën e opozitës së vërtetë. Nga gjithë sa u tha më lart, rezultati del që fajtore nuk është vetëm qeveria. Të gjithë janë bashkëfajtorë. Dikush me veprimet, e dikush me mosveprimet e tij. Në bulevard u panë sot, më shumë se 80% e pjesëmarrësve, i përkisnin moshës së mesme e asaj të thyer. Një këmbanë alarmi për mungesën e rinisë. Të rinjtë që kanë mbetur këtu janë shumë pak, aq pak sa pjesën më të madhe të tyre mund ta punësosh në administratë publike, duke i “mbyllur gojën”, një pjesë janë të papunë, një pjesë janë arrestuar në luftën kundër drogës e krimit. Por pjesa më e madhe ka ikur. Të gjitha këto bashkë, zbehin shpresën e të ardhmes… Që as opozita e as qeveria, nuk do të mund ta rimëkëmbin dot.

Check Also

Arrestohen në Teksas dy ‘kokat’ e trafikut të drogës, mes tyre një prej djemve të “El Çapos”

Ismael “El Mayo” Zambada, që drejtonte për një kohë të gjatë kartelin Sinaloa të Meksikës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *