Kurti tregon për telefonatën me humoristët rusë që u shtirën si presidenti i Letonisë: Pse ishte e pamundur të verifikohej thirrja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar se ka rënë pre e një thirrjeje mashtruese nga dy humoristë rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus.

Ata u shtirën si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkevics, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Kjo thirrje, e cila ndodhi më 11 shkurt, ishte një pjesë e një serie mashtrimesh që dyshja ka realizuar më parë me politikanë të njohur evropianë dhe figura të tjera të famshme, përfshirë Emmanuel Macron dhe Elton John.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e ka shpjeguar këtë incident duke theksuar se, për shkak të një numri të madh telefonatash urimi pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë e pamundur të verifikoheshin të gjitha thirrjet.

Në video, Kurti bisedon me humoristët për çështje të ndryshme, përfshirë zgjedhjet, dialogun me Serbinë dhe luftën hibride. Publikimi i videos ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë.