Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, dhe raundeve të reja të bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel për çështjen e dinarit serb, Albin Kurti, nuk jep shenja tërheqjeje nga qëndrimi tij.
Kurti e theksoi se Prishtina zyrtare nuk kundërshton faktin që qytetarët serbë të vazhdojnë të marrin ndihma nga Serbia, por i mëshon idesë që këto pagesa të bëhen me monedhën europiane. “Të mos harrojmë se mbi 33 mijë llogari bankare ku serbët i marrin ndihmat e tyre në valutën euro që ua jep Qeveria e Kosovës. Ne nuk jemi për ndalimin e ndihmave që vijnë nga Beogradi por nëse ato dërgohen në dinarë duhet të bëhen euro në Kosovë”, ka shtuar kryeministri.
Në takimin e kësaj jave në Bruksel, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, paraqitën propozimet e tyre për çështjen e dinarit, por nuk ranë dakord dhe pastaj kaluan tek akuzat kundër njëri-tjetrit. I dërguari i BE-së Miroslav Lajçak njoftoi se do të ketë dhe një përpjekje tjetër përafrimi të qëndrimeve të tyre në 4 prill.