Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Shkup: Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet e BE-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, i cili u zhvillua në Shkup, nën temën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.

Gjatë panelit të parë të diskutimit mes liderëve rajonalë me fokus “Plani i Rritjes: Vlerësim, puna e ardhshme dhe komunikimi”, Kurti vlerësoi Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian si një hap domethënës drejt integrimit dhe zhvillimit të rajonit. Ai theksoi se mbështetja e BE-së duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e vendeve ndaj reformave demokratike dhe vlerave evropiane.

Në këtë kuadër, Kurti kërkoi qartazi që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e Bashkimit Evropian, ashtu si vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i ekzekutivit kosovar rikonfirmoi mbështetjen e plotë për nismat e BE-së brenda Planit të Rritjes, përfshirë turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe projektin e njohur si “Autostrada e Tregut të Përbashkët”.

Kurti propozoi gjithashtu tre sektorë të tjerë për bashkëpunim rajonal me BE-në:

-zhvillimi i shërbimeve digjitale dhe teknologjisë, përfshirë AI dhe sigurinë kibernetike;

-sektori i mbrojtjes;

-bujqësia dhe përpunimi i ushqimeve.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai theksoi rëndësinë e sigurisë si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm, duke nënvizuar se Ballkani Perëndimor është pjesë e pandashme e rrafshit gjeopolitik evropian.

Kurti gjithashtu përshëndeti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar pajisjen e Iranit me armë bërthamore dhe vendimin e anëtarëve të NATO-s për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të PBB-së në Samitin e fundit në Hagë.