Kurti fton liderët politikë në takim! Kërkon konsensus për konstituimin e Kuvendit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar liderët e të gjitha partive politike në një takim të përbashkët që do të mbahet të shtunën, në orën 16:00, me synimin për të arritur një konsensus lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti theksoi se ky hap vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nënvizoi se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, jo vetëm e subjektit të parë.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit,” shkroi Kurti.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, pasi procesi i nisur më 15 prill nuk është përmbyllur me zgjedhjen e organeve drejtuese.