Kurti fiton zgjedhjet por jo qeverinë! Merr më pak vota se në zgjedhjet e 2021. Rezultati imponon kompromise dhe koalicion

Pas numërimit të 88% të votave, rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar, por me një rezultat më të ulët se në vitin 2021.

Me 41.99% të votave, VV renditet e para, por nuk arrin të përsërisë suksesin e zgjedhjeve të kaluara, ku kishte siguruar më shumë se 50% të votave, duke krijuar një shumicë të plotë në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21.99% të votave, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.68%, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fitoi 7.65%.

Përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, që përfshin 120 vende, do të përcaktohet nga rezultatet përfundimtare, përfshirë ato nga diaspora. Komunitetet joshumicë kanë 20 vende të garantuara në Kuvend, me 10 vende për komunitetin serb.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se edhe pse Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve, ajo nuk do të mund të krijojë një qeveri të vetme, si në mandatin e kaluar.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika pohoi për REL se numri i deputetëve për VV mund të rritet me votat e diasporës, por edhe kjo mund të mos mjaftojë për të krijuar një shumicë të qëndrueshme.

Ndërsa Artan Muhaxhiri thekson se nëse VV krijon një koalicion me pakicat, qeveria do të jetë e paqëndrueshme, ndërsa nëse partitë opozitare bashkojnë forcat, edhe ky koalicion do të ketë vështirësi në mbajtjen e një shumice të qëndrueshme.

Rezultatet përfundimtare dhe formimi i koalicioneve do të jenë kyç për të përcaktuar se kush do të udhëheqë me Kosovën në periudhën e ardhshme.