Kurti: Dialogu s’mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një konferencë media pas takimit të përbashkët me senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Peter Welch.

Ai foli për vazhdimësinë e dialogut në Bruksel me Serbinë, duke thënë se ai s’mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë pas sulmit terrorist në Banjskë.

“Po ashtu, i informova senatorët se dialogu i ndërmejtësuar nga BE-ja nuk mund thjesht të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli tjetër i dialogut për normalizimit duhet tani ta mbajë në përgjegjësi aktit agresor të Serbisë. Duhet të merren hapa bazikë në mënyrë që dialogu të ketë së paku një shans për të pasë sukses”, tha Kurti, duke shtuar se duhet të ketë një qasje të balancuar në tryezën e diskutimeve.

Kurti tha se gjithë tentativat për destabilizim duhet të ndalojnë tani dhe se tash është koha për Serbinë që të mbahet përgjegjëse, përndryshe “sulmet do të vazhdojnë përsëri e përsëri”.

Kurti përsëriti edhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të Ohrit, duke kërkuar që Serbia mos ta shkelë atë.

“Tani është më urgjente se kurrë që Serbia të ndalë së deklaruari se kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur”.

Kurti tha se në takim me senatorët amerikanë kanë folur për të gjeturat nga sulmi terrorist në Banjskë që tregojnë se Serbia qëndron prapa sulmit.

“I prezantova senatores informatat e fundit për atë çka dimë rreth përfshirjes së Serbisë në sulmin e 24 shtatorit ku heroi ynë Afrim Bunjaku është vrarë.

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, tha se përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe të mbahen përgjegjës, derisa shtoi se SHBA-ja qëndron krah Kosovës.