Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar, të shfrytëzojnë minutat e mbetura të procesit zgjedhor. Kurti theksoi rëndësinë e këtyre momenteve të fundit, duke i quajtur vendimtare për të ardhmen e vendit.
“Sot është dita D e demokracisë. Kush nuk ka dalur ende të votojë, shkoni tash sa më parë. Pyesni të gjithë të afërmit dhe miqtë se a kanë votuar dhe përcilleni këtë porosi që të votojnë menjëherë nëse nuk e kanë bërë,” tha Kurti në mesazhin e tij.
Ai kujtoi qytetarët se koha është e kufizuar dhe zgjedhjet për katër vitet e ardhshme varen nga këto dy orë të mbetura deri në mbylljen e procesit në orën 19:00.
“Më pak se dy orët në vijim janë vendimtare për edhe më shumë se katër vitet e ardhshme,” përfundoi Kurti në thirrjen e tij publike.