“Kurrë nuk do të tërhiqemi!” – Komandanti i Forcave të Armatosura të Iranit paralajmëron SHBA: Keni hapur derën për hakmarrje!

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë të rriten, ndërsa komandantët më të lartë të ushtrisë iraniane kanë lëshuar paralajmërime të forta ndaj Uashingtonit, pas sulmeve të fundit mbi territorin iranian.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, gjenerali madhor Abdolrahim Mousavi, deklaroi se SHBA ka hapur derën për hakmarrje dhe se Irani nuk do të tërhiqet. “Amerika kriminale ka hapur dyert për luftëtarët e Islamit në forcat e armatosura për çdo veprim kundër interesave dhe ushtrisë së saj, dhe ne nuk do të tërhiqemi kurrë në këtë drejtim,” tha Mousavi, duke e cilësuar ndërhyrjen amerikane si shkelje të sovranitetit të Iranit.

Sipas tij, SHBA ka hyrë drejtpërdrejt në luftë duke prekur “tokën e shenjtë” të Iranit Islamik dhe tashmë duhet të përgatitet për pasoja.

Në të njëjtën linjë me gjeneralin Mousavi, edhe zëdhënësi i Komandës Qendrore të Forcave të Armatosura iraniane, Ibrahim Zolfaqari, paralajmëroi për “operacione të fuqishme dhe të sakta” që do të sjellin pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për SHBA-në.

Në një video të publikuar nga mediat shtetërore Fars dhe Mehr, Zolfaqari theksoi: “Ky sulm nuk do të mbetet pa përgjigje. Jo vetëm që ishte i kotë, por do të zgjerojë edhe më tej spektrin e objektivave legjitime për ushtrinë iraniane dhe do të hapë rrugën për përhapjen e luftës në të gjithë rajonin.”

Në fund të videos, Zolfaqari iu drejtua drejtpërdrejt presidentit Donald Trump, duke thënë në anglisht: “Trumpi kumarxhi, ti mund ta nisësh këtë luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë.”