“Kur morëm detyrën ishim ‘vrima e fundit e kavallit’”/Rama: Tani po udhëheqim procesin e integrimit në BE
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste duhet të sigurojë mandatin e katërt për të përfunduar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, ai theksoi se kushtet aktuale janë më të favorshmet që Shqipëria ka pasur ndonjëherë për të avancuar në këtë proces.
“Asnjëherë yjet nuk janë përputhur si sot, asnjëherë konteksti gjeopolitik nuk ka qenë kaq i favorshëm për ne. Nuk është një dritare e hapur përgjithmonë, ky kontekst mund të ndryshojë, ndaj nuk do ta lejojmë ta humbim këtë mundësi,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se që nga nisja e negociatave, Shqipëria ka përparuar me një shpejtësi të paprecedentë në hapjen e kapitujve dhe se asnjë vend tjetër në rajon nuk ka ecur me këtë ritëm. Rama kujtoi se kur PS mori drejtimin e qeverisë, “ishim vrima e fundit e kavallit” dhe se duhej kohë për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Sipas tij, Shqipëria ka dakordësuar me BE një kalendar negociatash me synimin për t’i përmbyllur ato deri në vitin 2027. Ai theksoi se aktualisht janë rreth 11 mijë persona të angazhuar në këtë proces dhe 40 drejtues të grupeve negociatore, duke e cilësuar këtë strukturë si bazën e suksesit.
Kryeministri theksoi se zgjedhjet e 11 Majit do të jenë vendimtare për të garantuar vazhdimësinë dhe suksesin e këtij procesi. “11 Maji duhet të jetë vula e vullnetit popullor për t’i dhënë mandatin e katërt PS-së me një mbështetje si asnjëherë më parë, në mënyrë që të mos kemi asnjë luhatje dhe asnjë ditë të humbur,” përfundoi ai.
View this post on Instagram