“Kur ikën, u mbylla dhe qaja në banjo!” – Ermal Meta rrëfen për dy vajzat e adoptuara në Shqipëri: Jam bërë baba tre vite më parë

Këngëtari i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermal Meta, ka rrëfyer për herë të parë historinë prekëse të lidhjes së tij emocionale me dy vajza nga një jetimore në Shqipëri, të cilat ai dhe partnerja e tij Chiara i kanë konsideruar si vajzat e tyre që prej tre vitesh.

Në një intervistë të ndjerë, Meta tregoi se është bërë baba për herë të parë jo vetëm me ardhjen në jetë të vajzës së tij biologjike, Fortuna, vitin e kaluar, por që tre vite më parë kur ai dhe Chiara krijuan një lidhje të fortë shpirtërore me dy vajzat shqiptare, të cilat atëherë ishin 15 vjeçe. Pavarësisht se ligjërisht nuk mund të bëhej kujdestar i tyre për shkak se nuk ishte i martuar, ai tha se ndjenjat e tij si prind për to janë të njëjta që prej atij momenti të parë.

“I kemi njohur kur ishin 15 vjeçe. Në qershor mbushin 18 dhe do të mund të vijnë të jetojnë me ne. Por për mua ato janë vajzat e mia që prej tre vitesh. Nuk kam folur kurrë për këtë,” u shpreh këngëtari.

Ermal Meta zbuloi se gjithçka nisi gjatë një vizite në Bari, kur mori një telefonatë nga gruaja që kujdesej për vajzat, duke e informuar se ato ndodheshin aty për një treg bamirësie. Ai vendosi t’i takonte dhe i ftoi që të kalonin verën me të dhe Chiarën. Kjo përvojë e përbashkët e bëri atë të kuptonte se nuk mund të jetonte më pa to.

“Kur u larguan, u mbylla në banjo dhe qava. Kuptova që zemra ime ishte prerë më dysh… Aty ndjeva se isha bërë babai i tyre,” tregoi Meta.

Ai kujtoi gjithashtu një moment të veçantë kur, gjatë një udhëtimi me to, pas një zhgënjimi nga një mik, vendosi t’i pyeste vajzat nëse donin të shkonin me të dhe Chiarën me pushime. Pa u menduar gjatë, ato pranuan me gëzim të madh. Meta rrëfeu se e kishte bërë ftesën pa i treguar më parë partneres së tij, por kur Chiara mori vesh për këtë, reagimi i saj ishte po aq i entuziazmuar.

Një tjetër moment prekës në këtë histori është ai kur vajzat mësojnë se Chiara është shtatzënë. Sipas Metës, ishte një çast i mbushur me emocione, por ai u siguroi ato se kjo nuk do të ndryshonte asgjë në dashurinë dhe kujdesin që kishte për to.

“I thashë se kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Ju jeni vajzat tona. Ju duam dhe gjithmonë do t’ju duam,” përfundoi artisti.